Bota

Londra në tension; mbi 100 mijë protestues në marshimin e Tommy Robinson

Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Londrës në një marshim të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, në një kohë kur mbështetja për partinë anti-emigracion Reform UK po rritet në gjithë vendin.

Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, tubimi “Unite the Kingdom” i Robinsonit mblodhi rreth 110 mijë persona të shtunën, me turma që marshuan nga dy drejtime; ura Waterloo dhe ura Lambeth, për t’u bashkuar në Whitehall, pranë Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, i njohur për qëndrimet e tij anti-emigracion dhe anti-islam, e paraqiti marshimin si një demonstratë për lirinë e fjalës, trashëgiminë dhe kulturën britanike. Ai ndezi turmën me pretendime se emigrantët tani kanë më shumë të drejta në gjykata sesa publiku britanik, njerëzit që ndërtuan këtë komb.

Policia vendosi mbi 1600 oficerë për të mbajtur të ndara tubimin e Robinsonit dhe protestën kundër “Stand Up to Racism”, ku morën pjesë rreth 5 mijë persona. Forcat raportuan se disa oficerë u sulmuan ndërsa përpiqeshin të ndalonin protestuesit e Robinsonit që të çanin kordonët mbrojtës.

Janë raportuar nëntë persona të arrestuar, ndërsa në disa zona të Londrës u dislokuan oficerë shtesë, të mbështetur nga kuaj policie.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *