
Liga e Kampionëve të Azisë nis të hënën, me një shkëlqim të veçantë falë emrave të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, i cili ka rinovuar kontratën me Al-Nassr. Përveç tij, ish-yjet e Premier League si Ivan Toney, Jesse Lingard, Riyad Mahrez dhe Darwin Núñez pritet të japin tonin në garën më të madhe të klubeve aziatike.
Sezonin e kaluar, klubet saudite dominuan duke zënë tri nga katër gjysmëfinalet dhe me Al-Ahli që ngriti trofeun në Xheda përpara 60 mijë tifozëve. Këtë vit, Al-Ittihad dhe Al-Hilal kthehen si pretendentë kryesorë. Që prej vitit 2023, kur Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite mori klubet kryesore, janë shpenzuar rreth 1.5 miliardë dollarë për lojtarë të rinj.
Ivan Toney, i transferuar nga Brentford te Al-Ahli në gusht 2024, synon të përsërisë suksesin pas gjashtë golave të shënuar sezonin e kaluar dhe partneritetit me Riyad Mahrez, kampion Europe me Manchester City në 2021.
Në këtë edicion marrin pjesë 24 ekipe, të ndarë në zonën perëndimore dhe lindore; tetë më të mirët nga secili kalojnë në 1/16-at. Al-Hilal, skuadra më e titulluar me katër trofe, ishte gjithashtu e vetmja aziatike që arriti çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube në qershor, duke mposhtur Manchester City-n. Trajneri italian i tyre kërkon të shkojë edhe më tej këtë sezon.
Al-Ittihad, dy herë kampion, mbështetet te Karim Benzema dhe N’Golo Kanté për të përsëritur suksesin europian në arenën aziatike.
Nga ana tjetër, Jesse Lingard udhëheq FC Seoul, duke përfaqësuar ligën më të suksesshme aziatike me 12 tituj, por vetëm një që nga 2016. I ardhur në vitin 2023, Lingard është tashmë kapiten dhe idhull për tifozët: “Do të bëj më të mirën për të ndihmuar ekipin,”- tha ai. Trajneri Kim Ki-dong i ka dhënë më shumë përgjegjësi në debutimin e tij aziatik.
Kundërshtarët më të fortë për klubet saudite kanë qenë ata japonezë. Kawasaki Frontale eliminoi Al-Nassr në gjysmëfinalet e prillit, por nuk u kualifikua. Vissel Kobe, kampione e J-League, shihet si sfida më e madhe, ndërsa nga 12 ekipet e zonës lindore vetëm Ulsan i Koresë së Jugut ka fituar më parë trofeun.