Bota

Dëshira për dije më e fortë se lufta: Gaza nën bombardime, maturantët sfidojnë urinë dhe vdekjen për të dhënë provimet

Në një Gaza të shkatërruar nga lufta, ku 97% e shkollave janë dëmtuar ose rrafshuar nga bombardimet izraelite, mijëra nxënës palestinezë po përpiqen të përfundojnë provimet e maturës në kushte të pamundura.

Roua Nasrallah, 19 vjeç, është një prej 27 mijë nxënësve të regjistruar për provimet online të organizuara nga Ministria e Arsimit në Ramallah. “Dje dhashë provimin e biologjisë, sot atë të teknologjisë, nesër kam fizikë,” -rrëfen ajo, ndërsa ndodhet në një strehim të përkohshëm pas zhvendosjes së detyruar.

Ata që vetëm pak vite më parë kishin filluar vitin e fundit të gjimnazit, panë ëndrrat e tyre të shkatërroheshin pas sulmeve të 7 tetorit dhe reagimit ushtarak izraelit që pasoi. Sipas Kombeve të Bashkuara, përveç dëmtimit masiv të infrastrukturës arsimore, rreth 15 mijë fëmijë e të rinj që duhej të ishin në bankat e shkollës kanë humbur jetën.

“Viti i parë i luftës ishte vetëm vuajtje, zhvendosje të detyruara dhe mungesë e çdo mundësie për të mësuar,” -thotë Roua, e cila me familjen e saj është zhvendosur disa herë. Megjithatë, ajo dhe shokët e saj vazhdojnë të lidhen online për të dhënë provimet, duke sfiduar bombat, urinë dhe frikën e përditshme.

Për nxënësit e Gazës, ky provim nuk është vetëm një hap drejt diplomës, por edhe një akt rezistence, një mënyrë për të treguar se edhe në mes të shkatërrimit, dëshira për dije nuk shuhet.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *