
Ecja është aktiviteti më i thjeshtë e më i dobishëm për trupin dhe mendjen, por a është më e shëndetshme të ecësh shpejt apo të ecësh gjatë?
Ecja ka efekte të shumta pozitive: përmirëson qarkullimin e gjakut, ul inflamacionin, ndihmon tretjen dhe sistemin imunitar, redukton stresin dhe nxit një gjumë më të mirë. Por shpesh lind pyetja: “A është më mirë të ecim shpejt apo gjatë?”
Sipas kardiologes Johanna Contreras, e cila foli për revistën Women’s Health, nuk ka nevojë të ndiqet verbërisht miti i 10 mijë hapave në ditë. Mjafton të ecësh rregullisht dhe me pak ritëm. “Edhe një shëtitje e thjeshtë rreth lagjes apo ngjitja e shkallëve ka ndikim pozitiv,” -thekson ajo.
Ekspertja sugjeron se ritmi i duhur është ai ku zemra fillon të rrahë më shpejt dhe trupi ndien pak lodhje, madje edhe pak djersë. Një ecje e tillë konsiderohet efektive për shëndetin kardiovaskular.
Ecja e shpejtë: përmirëson kardion, aktivizon më shumë metabolizmin dhe ndihmon në djegien e kalorive, e përshtatshme për ata që synojnë humbje peshe.
Ecja e gjatë: sipas ekspertëve, fut trupin në “zonën 2 kardio”, ku zemra punon me 60–70% të kapacitetit të saj maksimal. Kjo gjendje e shtyn trupin të përdorë dhjamin si burim energjie, duke sjellë përfitime afatgjata për shëndetin.
Nuk ka një mënyrë më të mirë unike. Kombinimi i të dyjave është çelësi: kur kemi kohë, një ecje e gjatë; kur koha mungon, një ecje më e shpejtë. Ajo që ka më shumë rëndësi është rregullsia dhe përshtatja me stilin e jetës dhe nevojat personale.