Bota

Një i vdekur dhe 25 të plagosur nga shpërthimi në një bar në Madrid

Një shpërthim i fuqishëm në një bar në lagjen Vallecas të Madridit ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha, ndërsa autoritetet dyshojnë për një rrjedhje gazi.

Shërbimet e emergjencës spanjolle konfirmuan se të dielën në mëngjes, 14 shtator, u gjet trupi i një burri mes rrënojave të lokalit, i cili u shkatërrua nga shpërthimi një ditë më parë. Ndërkohë, 25 persona u plagosën, prej të cilëve dy ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar në spital.

Zjarrfikësit, të ndihmuar edhe nga qentë, punuan me kujdes gjatë natës për të hequr mbeturinat dhe për të kontrolluar çdo pjesë të ndërtesës së dëmtuar. “Puna ishte shumë e vështirë, u desh të çmontoheshin gur më gur, tullë pas tulle,” -deklaroi zëdhënësi i zjarrfikësve, Javier Ramos.

Pamjet nga vendngjarja treguan dyert e barit të hequra nga menteshat dhe copa xhami të shpërndara deri në rrugë.

Autoritetet lokale theksuan se është ende herët për të përcaktuar me siguri shkakun e shpërthimit, por një rrjedhje gazi mbetet pista kryesore e hetimit.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *