Policia greke godet grupin shqiptar në Selanik: Në pranga tre persona nga Korça

Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal shqiptar, i cili dyshohet për trafik droge dhe atentate me armë zjarri. Në pranga kanë rënë Gentian Çipi, 39 vjeç, Enea Basholli, 30 vjeç dhe Kleo Topa, 23 vjeç, të tre nga Korça.
Ata akuzohen se më 3 shtator, në zonën e Pilaias, hapën zjarr ndaj një të riu grek 25-vjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë në gjoks dhe dorë. Sipas policisë, autor i të shtënave ishte Çipi, i njohur si drejtues i grupit.
Gjatë operacionit, dy prej të dyshuarve tentuan të shmangnin arrestimin duke përplasur automjetin e policisë, por më pas u kapën. Pak orë më vonë, në Halkidiki u arrestua edhe Basholli.
Në kontrollet e kryera, policia greke sekuestroi 1 kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, një silenciator, 31 kg marijuanë, dokumente të falsifikuara, 23.350 euro, celularë dhe 3 automjete.