Aktualitet Shqipëria

Tritol i pashpërthyer pranë hotelit të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako

Zona u bllokua, banorët dhe turistët u evakuuan për siguri

Një sasi tritoli e pashpërthyer është gjetur mbrëmjen e sotme pranë hyrjes së një hoteli në pronësi të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Objekti ndodhet në Lagjen nr. 1 të qytetit, një zonë e frekuentuar dhe e njohur, por aktualisht është jashtë funksionit dhe i pabanuar.

Sipas burimeve policore, lënda shpërthyese ishte e lidhur me një telefon celular, duke rritur ndjeshëm rrezikun e shpërthimit. Policia u vu në dijeni pas një sinjalizimi dhe, pas verifikimit në terren, gjeti tritolin në vendin e treguar nga informatori.

Forcat e rendit rrethuan menjëherë zonën dhe evakuuan banorët e turistët përreth. Në ndihmë janë thirrur forcat xheniere nga Tirana, të cilat do të kryejnë një shpërthim të kontrolluar për të neutralizuar mjetin e rrezikshëm.

Aktualisht, policia ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e vendosjes së lëndës shpërthyese dhe për të identifikuar autorët e ngjarjes.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *