Bota

Raport alarmant: Australia përballet me rreziqe të shumta nga ndryshimet klimatike

Një raport i ri paralajmëron se ndryshimet klimatike do të kenë pasoja shëndetësore, ekonomike dhe mjedisore të rënda për Australinë, me efekte në zinxhir dhe të njëkohshme, ndërkohë që qeveria pritet të shpallë objektivat e rinj për reduktimin e emetimeve të gazrave serë.

Sipas vlerësimit kombëtar të publikuar më 15 shtator, valët e të nxehtit, ciklonet dhe përhapja e sëmundjeve pritet të rrezikojnë seriozisht jetën e australianëve në dekadat e ardhshme. Raporti thekson se mbi 1,5 milionë persona jetojnë në zona që do të preken nga ngritja e nivelit të detit deri në vitin 2050. Në të njëjtin vit, vdekjet në Sydney të shkaktuara nga i nxehti do të rriten mbi 400% nëse temperatura globale ngjitet me 3°C.

“Ne po e jetojmë ndryshimin klimatik tani. Nuk është më parashikim, por realitet që ndodh në kohë reale, dhe është tepër vonë për të shmangur të gjitha pasojat,” -tha ministri australian i klimës, Chris Bowen.

Raporti parashikon humbje prej 611 miliardë dollarësh australianë (rreth 350 miliardë euro) nga dëmtimet e pronave deri në vitin 2050. Ndërkohë, shumë specie të faunës dhe florës australiane do të detyrohen të zhvendosen, të përshtaten ose të zhduken përballë ndryshimeve klimatike.

Drejtoresha e Climate Council, Amanda McKenzie, e cilësoi raportin tronditës, duke kërkuar që Australia të vendosë objektiva shumë më ambicioze për vitin 2035 dhe të ndalojë menjëherë projektet e reja ndotëse.

Australia, një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjive fosile, prej vitesh përballet me luftëra politike të klimës që kanë penguar përparimin në uljen e emetimeve. Qeveria aktuale ka shtuar përpjekjet për energji të rinovueshme, por vazhdon të miratojë projekte të mëdha të naftës dhe gazit.

Një shembull është zgjatja për 40 vjet e projektit gjigant North West Shelf, që prodhon mbi 10 milionë tonë gaz të lëngshëm dhe naftë çdo vit, duke shkaktuar protesta të grupeve indigjene dhe ambientalistëve, të cilët e kanë quajtur bombë karboni.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *