
Janë bërë publike elementë të rinj nga dëshmia e Mustafa Licit, lidhur me atentatin e 8 shtatorit në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa shënjestra dyshohet të ketë qenë Erogen Vaso (i njohur si Brajoviç), i plagosur bashkë me një kamarier 25-vjeçare.
Gazetari Elton Qyno raporton se marrja në pyetje e Licit është zhvilluar në banesën e tij në Kiras, pasi ai ka refuzuar të paraqitet në komisariat, duke iu përgjigjur oficerëve: “Nuk dal nga kulla jeme.” Hetuesit u detyruan të shkonin në shtëpinë e tij, ku ai dha shpjegime mbi lëvizjet e datave 7 dhe 8 shtator, si edhe për mungesën e dy djemve të tij. Këto të dhëna ende nuk janë bërë publike.
Në lidhje me një banesë tjetër në Kiras, ku u gjetën armë, municione dhe dronë, Lici ka deklaruar se ajo i përket motrës së tij, e cila prej pesë vitesh jeton në një vend të BE-së dhe e ka dhënë me qira. Për ta provuar, ai e kontaktoi motrën përmes WhatsApp, e cila komunikoi me hetuesit nëpërmjet një video-telefonate, duke pohuar se disponon kontrata noteriale për qiradhënien.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Barush Bregun, i konsideruar si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me autorin e atentatit dhe ka furnizuar me arsenal armësh Ragip Gilën.