
Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të shpejtë, kameramani i njohur i RTSH-së, Ervin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash, ai i kishte kushtuar punën e tij televizionit publik, duke realizuar me profesionalizëm dhe pasion qindra programe e spektakle për publikun shqiptar.
Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni Shqiptar, i cili në një njoftim zyrtar vlerësoi kontributin e Hotit dhe theksoi se ai do të mbetet një kujtim i çmuar për kolegët dhe shikuesit. RTSH u shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe të afërmve, duke theksuar se humbja e tij është e ndjeshme jo vetëm për familjen, por edhe për institucionin ku ai shërbeu me përkushtim për mbi 22 vite.