Uncategorized

Nga Shqipëria që projektoi Sami Frashëri, te Shqipëria që po na shuhet ndër duar

Vizioni i Sami Frashërit: Një amanet i lënë brezave

Rastësia solli që të më binte në duar një botim i vjetër i librit të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë”. U befasova, sepse ishte një ekzemplar i ruajtur prej kohësh, por njëkohësisht u gëzova, si një adhuruese e librave të vjetër. E mora në duar me ndjenjën se po mbaja diçka më shumë se një libër; një amanet kombëtar, një testament që nuk e humbet kurrë vlerën. Sigurisht, nuk ishte hera e parë që po e lexoja, kisha lexuar botimet me të reja, ato me titullin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, por këtë herë, pas çdo fjalie, nuk munda të mos bëja një krahasim mes vizionit të madh të Sami Frashërit dhe realitetit të Shqipërisë së sotme. Nga kjo përballje, lindi edhe kjo analizë , të cilën po e ndaj me ju:

“Kur Sami Frashëri shkroi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ai po skaliste një ëndërr të ardhmërisë, një testament shpirtëror për një komb që ende s’kishte marrë frymë lirisht, por që jetonte me shpresë. Ai shkruante për Shqipërinë që do të bëhej një, jo thjesht në kufij, por në ndjenjë, në gjuhë, në dije dhe në frymë evropiane. Sot, më shumë se një shekull më vonë, ai vizion endet si një siluetë e largët në horizont, herë si udhërrëfyes, herë si akuzë.

Mendimtari i madh i shekullit XIX ëndërroi një Shqipëri të bashkuar, të çliruar nga ndasitë krahinore e veçanërisht nga përçarja fetare. “Feja është për shpirtin, kombi për jetën”, -shkruante ai. Shqipëria politike është vetëm një pjesë e kombit shqiptar. Copëzat e shpërndara në trojet përtej kufijve; në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, jetojnë ende me plagë të hapura identiteti. Sami Frashëri, ëndërronte për një komb që frymon si një i vetëm, ne kemi një shtet që mbijeton si shumë pjesë.

Sot Shqipëria ndahet nga korrupsioni, nga klanet politike, nga interesat e ngushta të pushtetarëve, ndahet nga bandat, ndahet nga pasuria dhe nga padrejtësia që sundon

Brenda kufijve, ndarja fetare nuk ka marrë kurrë flakë, por as nuk është shuar në thelb. Ajo shfaqet herë pas here si mjegull e nënkuptuar në debatet publike.

Apostulli i arsimit shqiptar e shihte gjuhën si themel të kombit. Mbi këtë themel ndërtoi ëndrrën e tij arsimore. Ai ëndërronte shkolla ku fëmijët të mësonin gjuhën e nënës, libra shqip që do të ushqenin mendjen dhe shpirtin, një brez të ri që do ta ngrinte Shqipërinë në lartësinë e merituar Sot kemi shkolla në shqip, kemi universitete, libra, programe, por a kemi dije?!

Evropa për vizionarin e madh, ishte simboli i qytetërimit, i ligjit, i progresit dhe i dijes. Shqipëria sot, qëndron në dyert e BE-së, me duar të zgjatura si lypse, jo si bashkëbiseduese me kokën lart. Ne kemi imituar pamjen e Evropës, por kemi harruar të marrim shpirtin e saj: shtetin e së drejtës, barazinë, meritokracinë, respektin për qytetarin. Këtu është ndoshta plagosja më e rëndë e ëndrrës së Sami Frashërit. Në vend të një shteti të fortë dhe të drejtë, kemi një sistem që shpesh nuk dënon fajtorin, por mbron të fuqishmin.

Sot burimet natyrore shfrytëzohen pa strategji, toka dhurohet, deti jepet me koncesion, pyjet digjen me vetëdije. Në vend që të jetë urë lidhëse me Perëndimin, vendi është kthyer në shesh pazari. Institucionet që Sami Frashëri i projektonte si mburoja të kombit, janë kthyer në dyer të hapura për të huajt dhe në pasqyra turpi për ne.

Liria, për fat të mirë, është një realitet, të paktën në formë. Por, a është liri e vërtetë kur qytetari ka frikë të flasë, të protestojë, të kritikojë, sepse nuk ka besim se do të dëgjohet?!

Nëse sot Shqipëria duket e lodhur dhe e humbur mes korrupsionit, boshatisjes dhe padrejtësisë, fajin nuk e ka vizioni i munguar, por mungesa e vullnetit për ta bërë atë realitet. E ardhmja nuk do të vijë vetë, ajo duhet ndërtuar me sakrifica, me dinjitet dhe me një përkushtim që nuk njeh kompromis. Ky është testi ynë si komb. Ne do ta kalojmë, sepse zemra shqiptare ka ditur gjithmonë të ringrihet nga rrënojat dhe ta rindërtojë shpresën.”

Nga Borea Lisi

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *