
Në kuadër të ekspozitës “Mécaniques d’Art”, ndërmarrja Vacheron Constantin do të zbulojë, më 17 shtator, një mrekulli filozofike dhe komplekse orë‑astronomi automat që vëzhgon universin.

Në përkujtim të 270 viteve të saj, prodhuesi zviceran Vacheron Constantin zbuloi sot në Paris një homazh orologjik ndaj gjeniut njerëzor, që mund të krahasohet me krijimet mekanike të Leonardo da Vincit: një orë astronomike e quajtur La Quête du Temps, një kryevepër që është punuar për shtatë vjet, që kombinon instrumentin për matjen e kohës, traditat e “Haute Horlogerie” ( arti i lartë i prodhimit të orëve), artizanatin dhe mekanikën automatike.

Ekspozita do të jetë e hapur nga 17 shtatori deri më 12 nëntor 2025 në Muzeun e Luvrit në Paris, si pjesë e “Mécaniques d’Art”; më pas ora do të hyjë në koleksionet e markës.
Shtëpia, e themeluar në shekullin XVIII, në kohën e Iluminizmit, shkencave dhe filozofëve humanistë, ka krijuar një automat njerëzor që jo vetëm tregon orën, por gjithashtu i fton shikuesit të admirojnë misteret e kozmosit dhe fenomenet astronomike. “Që nga automatet e para të njohura, nga Greqia e lashtë dhe perandoria Persiane, deri sot, nuk ka shenjë të automatëve të integruar brenda një ore që përdoret për matjen e kohës,” -shpjegon Christian Selmoni, drejtor për stilin dhe trashëgiminë në kompani. Të gjithë këta automatë janë konceptuar si pajisje autonome ose animacione shoqëruese. Shtëpia vendosi ta realizojë automatin që do të tregojë orët dhe minutat.

Kjo orë monumentale, mbi një metër e lartë, është e ndarë në tre seksione: kupola, ora astronomike dhe baza. Mekanizmi i saj, për të cilin janë bërë 15 aplikime për patentë, përbëhet nga 6,293 komponentë, përfshirë një orë me 23 komplikacione që kontrollon vetë automatin. Kanë bashkëpunuar disa ekipe për të konceptuar aspektet teknike dhe estetike dhe për të zhvilluar komplikacionet orologjike. Automati u krijua me François Junod, i njohur si krijuesi më i madh i automatëve në botë. Mekanizmi i orës dhe veshja u realizuan në bashkëpunim me L’Épée 1839, ndërkohë që artistë të tjerë i kushtuan talentin e tyre ornementimit. Përfundimisht, astronomët e Observatorit të Gjenevës u konsultuan për të pasuruar dhe verifikuar tregimin qiellor.