
Pas Katarit, Turqia shpreh shqetësim për mundësinë e sulmeve izraelite, kundër Hamasit, në territorin e saj
Sulmet e ushtrisë izraelite në Doha më 9 shtator, të cilat shkaktuan gjashtë viktima, kanë shkaktuar tronditje në gjithë rajonin dhe kanë ringjallur në Ankara frikën për një përshkallëzim të madh të tensioneve me Tel-Avivin.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e dënoi menjëherë këtë goditje, duke e cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe telefonoi emirin Tamim Ben Hamad Al Thani për t’i shprehur solidaritetin e tij. Ndërkohë, shtypi proqeveritar turk ka lënë të kuptohet se një përballje e drejtpërdrejtë me Izraelin mund të mos mbetet më vetëm në nivel teorik, por të kalojë në plan praktik. Një sulm i ngjashëm i synuar në territorin turk nuk përjashtohet më.
Kryeministri izraelit e ka pranuar në mënyrë të tërthortë se operacioni i kryer në Katar nuk e eliminoi udhëheqjen e Hamasit, por theksoi se mesazhi për drejtuesit e grupit ishte i qartë: “Ata nuk gëzojnë asnjë imunitet.” Në një tjetër deklaratë të bërë në platformën X të shtunën në mbrëmje, Benjamin Netanjahu tha se eliminimi i drejtuesve të Hamasit do t’i japë fund luftës.
Prej vitesh, dhjetëra drejtues politikë të Hamasit në mërgim ndajnë kohën mes Katarit dhe Turqisë. Sipas disa informacioneve jozyrtare, disa prej figurave të Hamasit të goditura në Doha kishin mbërritur atje nga Turqia, për të marrë pjesë në diskutimet mbi një armëpushim në Gaza.
“Pas sulmit, është madje e mundshme që disa anëtarë të Hamasit të kalojnë edhe më shumë kohë në Turqi,” -thekson Ezgi Akin, specialiste për çështjet turke.
Një zyrtar i lartë turk në Ankara, duke folur në kushte anonimiteti, e përmblodhi shqetësimin kështu:- “Sulmi në Katar tregoi se qeveria izraelite është e gatshme për gjithçka.”
Në planin ligjor dhe diplomatik, Turqia ndodhet në një pozicion delikat: si anëtare e NATO-s, një operacion ushtarak apo një atentat i drejtpërdrejtë në territorin e saj do të rrezikonte marrëdhëniet mes anëtarëve të Aleancës dhe do të sfidonte drejtpërdrejt angazhimet për siguri të ndërsjellë. Megjithatë, analistët theksojnë se Izraeli mund të tentojë të veprojë në mënyrë të fshehtë, përmes operacioneve klandestine, pa marrë zyrtarisht përgjegjësinë, një opsion i konsideruar i besueshëm nga disa qeveri të rajonit.