Bota Uncategorized

Autostrada kryesore e Kashmirit mbetet e bllokuar prej 24 gushtit

Rreth 4mijë kamionë me mollë janë bllokuar në autostradën Jammu–Srinagar që prej 24 gushtit, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët, gjatë sezonit të vjeljes. Frutat po prishen, çmimet po bien dhe protestat po rriten, ndërsa zgjidhja ende nuk duket në horizont.

Prej 24 gushtit, autostrada kryesore që lidh Kashmirin me pjesën tjetër të Indisë, Jammu–Srinagar, është bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura. Kjo ka goditur rëndë fermerët lokalë, të cilët ndodhen në kulmin e sezonit të vjeljes së mollëve, një periudhë kyçe për ekonominë e rajonit.

Rreth 4 mijë kamionë të mbushur me mollë janë bllokuar në zonën e Qazigund dhe Anantnag, duke e kthyer prodhimin e këtij viti në një humbje të madhe. Në mungesë të qarkullimit, frutat po prishen brenda automjeteve, në tregjet e shumicës, si dhe në magazina, ndërsa çmimet kanë rënë ndjeshëm.

Fermerët janë të dëshpëruar. Ata kanë paralajmëruar humbje që kalojnë 110 milionë euro, ndërsa kërkesat për ndërhyrje të shpejtë janë shtuar. Qeveria ka njoftuar dërgimin e trenave të posaçëm për transportin e prodhimeve drejt Delhit, por kapaciteti i tyre është i kufizuar dhe nuk përballon dot sasinë e madhe të prodhimit të bllokuar.

Autoritetet kanë vendosur në terren dhjetëra mjete për të pastruar rrugën dhe për të rikthyer qarkullimin, por situata mbetet kritike. Fermerët kanë reaguar me protesta, duke mbyllur tregjet në disa zona për dy ditë radhazi në shenjë revolte.

Për Kashmirin, që mbështetet shumë te bujqësia dhe sidomos te prodhimi i mollëve, kjo situatë përfaqëson një goditje të madhe ekonomike dhe morale. Nëse rruga nuk hapet së shpejti, pasojat mund të jenë të pariparueshme për mijëra familje që jetojnë nga kjo veprimtari.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *