
Dizajneri francez i këpucëve me taban të kuq, sjell Jaden Smith si drejtor artistik të koleksionit për meshkuj, me krijimet e para, që pritet të prezantohen në janar 2026.
Christian Louboutin, dizajneri i famshëm francez, i njohur për këpucët me taban të kuq, ka surprizuar botën e modës duke emëruar Jaden Smith, djalin e aktorit Will Smith, si drejtorin e ri artistik të linjës së këpucëve për meshkuj.
Louboutin, i cili ka ndërtuar një nga markat më prestigjioze të luksit që nga vitet ’90, e ka përshkruar vendimin si një hap strategjik dhe një burim frymëzimi. Ai rrëfeu se idenë për ta përfshirë Jaden e pati në një moment krejt të thjeshtë: “Një mëngjes po notoja dhe thashë me vete, pse jo Jaden?”.
Nga ana tjetër, Jaden Smith, 27 vjeç, është një artist shumëdimensional që ka spikatur në aktrim, muzikë dhe modë, duke fituar reputacion tek brezat e rinj, për origjinalitetin e tij. Ky bashkëpunim nuk do të jetë një projekt i përkohshëm, por një angazhim afatgjatë, me synim krijimin e një identiteti të ri për këpucët e meshkujve.
Linja e këpucëve për burra përfaqëson aktualisht rreth një të katërtën e xhiros së kompanisë Louboutin, gjë që e bën këtë vendim veçanërisht të rëndësishëm për të ardhmen e markës. “Tek Jaden pashë lirinë, talentin dhe hapjen ndaj botës, që më kujtoi vitet e mia të hershme si krijues”, -tha Louboutin.
Jaden Smith është tashmë duke punuar mbi krijimet e tij të para, të cilat do të prezantohen zyrtarisht në janar të vitit 2026. Ky bashkëpunim shihet si një sintezë mes përvojës së gjatë të Louboutin dhe freskisë së vizionit të Smith, duke premtuar risi në skenën e modës luksoze për meshkuj.