Trump rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar: Një vizitë mbretërore për presidentin amerikan që adhuron monarkinë

Adhurimi i Trump për monarkinë britanike shihet si një armë diplomatike nga Londra, që shpreson ta përdorë për të ndikuar në tregti dhe çështjen e Ukrainës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur për një vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të pritet me ceremoni madhështore nga familja mbretërore britanike. Dashuria e tij e hershme për monarkinë shihet si një mundësi që Londra kërkon ta shfrytëzojë në planin diplomatik.

Magjepsja e Trump nga kurorën britanike nuk është e re. Ai e ka pranuar se një takim me mbretëreshën Elizabeth II ishte shenja më e madhe se kishte arritur në jetë. Admirimi i tij lidhet edhe me rrënjët skoceze nga nëna, Mary Anne MacLeod, e cila adhuronte monarkinë dhe ndiqte me pasion kurorëzimin e vitit 1953.
Gjatë mandatit të parë, Trump u prit në Buckingham Palace nga mbretëresha Elizabeth II, me një banket shtetëror që i la të kuptojë se ishte presidenti i saj i preferuar, pavarësisht se biografitë e saj sugjerojnë të kundërtën. Ai gjithashtu ka treguar simpati për mbretin Charles dhe princin William, të cilin e ka vlerësuar publikisht madje edhe për pamjen e tij fizike.
Vizita e 17–18 shtatorit do të zhvillohet në Windsor dhe do të përfshijë pritjen nga princi dhe princesha e Uellsit, një procesion me karrocë mbretërore, inspektim të gardës së nderit dhe një drekë me mbretin Charles III dhe mbretëreshën Camilla. Trump do të bëjë edhe homazhe në varrin e mbretëreshës Elizabeth II në kapelën Shën Gjergji.

Mbrëmja do të kulmojë me një banket shtetëror ku do të marrin pjesë dhjetëra të ftuar të rëndësishëm, ndërsa qeveria britanike e konsideron këtë një rast për të ndikuar në diskutimet mbi tregtinë, tarifat doganore dhe luftën në Ukrainë.
Analistët në Londër e shohin këtë adhurim të Trump për monarkinë si një kartë të fortë për diplomacinë britanike. “Trump adhuron jetën mbretërore, ndaj ofrimi i përvojës më të plotë me karrocë, bankete dhe ceremoni është mënyra për ta vënë në humorin e duhur”, -shprehet historiania Anna Whitelock për BBC News.
Ndërkohë, ekspertët e familjes mbretërore theksojnë se mbreti Charles është i vetëdijshëm për këtë dobësi të presidentit amerikan dhe do ta përdorë si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes Londrës dhe Uashingtonit.