
Sulmet ruse godasin Kharkivin dhe jugun e Ukrainës, ndërsa SHBA dhe BE diskutojnë masa të reja ekonomike kundër Moskës.
Shërbimet e emergjencës në Ukrainë janë angazhuar gjatë natës për të përballuar pasojat e sulmeve ruse, mes të cilave njëra goditi Universitetin Kombëtar të Farmacisë në Kharkiv. Sipas autoriteteve ukrainase, në rajonet e Kharkiv, Kherson dhe Dnipropetrovsk janë regjistruar të paktën gjashtë të plagosur.
Në planin diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump ka kushtëzuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës me ndalimin e blerjes së naftës ruse nga aleatët evropianë. Nga ana e saj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kishte zhvilluar një telefonatë të mirë me Trump-in.
Sipas saj, diskutimet u përqendruan në përpjekjet e përbashkëta për të rritur presionin ekonomik mbi Rusinë përmes masave shtesë, duke sinjalizuar se Brukseli dhe Uashingtoni po kërkojnë hapa të koordinuar në këtë drejtim.
Bombardimet e fundit tregojnë se lufta në Ukrainë vijon me intensitet, ndërsa rajonet lindore dhe jugore të vendit po përballen rregullisht me sulme ajrore dhe raketore nga ushtria ruse. Përveç dëmeve materiale, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, teksa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura.