150 mjekë largohen çdo vit nga spitalet, shqiptarët kurohen nga farmacistët dhe veterinerët
Emigrimi i mjekëve shqiptarë ka arritur nivele alarmante, duke kërcënuar funksionimin e sistemit shëndetësor. Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, rreth 150 mjekë largohen çdo vit nga Shqipëria, një numër që përputhet me numrin vjetor të diplomuarve në universitetin e mjekësisë.Ky fluks i lartë ka çuar në një shtim të mjekëve shqiptarë në vendet e huaja, ku në vitin 2020, 1,060 mjekë shqiptarë punonin në 38 shtete të tjera. Vetëm në Gjermani, numri i mjekëve shqiptarë është rritur nga 149 në 988 ndërmjet 2013 dhe 2021.
Në këtë situatë kritike, qeveria nuk po merr masa. Diferenca e madhe me pagat në vendet e BE-së, siç është Gjermania, ku një infermier merr 2,900 euro bruto, e bën të vështirë mbajtjen e profesionistëve në Shqipëri. Ky emigrim i vazhdueshëm, veçanërisht nga rinia, rrezikon seriozisht sistemin shëndetësor, duke e bërë të vështirë garantimin e shërbimeve, veçanërisht në zonat rurale.