
Mes lodhjes morale dhe ndjenjës së detyrës, rezervistët izraelitë ndahen mes refuzimit të luftës dhe angazhimit të verbër në ofensivën ndaj Gazës.
Dhjetëra mijëra rezervistë janë rikthyer në front për të marrë pjesë në ofensivën tokësore në qytetin e Gazës, një operacion që ushtria izraelite e konsideron vendimtar. Por, pas dy vitesh lufte të pandërprerë, që nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, dilemat dhe lodhja morale kanë nisur të ndahen mes trupave.
Një pjesë e vogël refuzon mobilizimin, duke e parë konfliktin si të pakuptimtë dhe të pafund, me pasoja të rënda për ushtarët, pengjet dhe popullsinë palestineze. Disa prej tyre madje janë ndëshkuar për mosbindje, si rasti i një të riu që u përjashtua nga ushtria pasi kërkoi publikisht që thirrjet për në Gaza të mos pranohen më.
Megjithatë, shumica e rezervistëve vazhdojnë t’u përgjigjen urdhrave pa hezitim, duke e parë shërbimin si një detyrë të pashmangshme. Ushtria ka rikthyer në shërbim 60 mijë rezervistë dhe ka zgjatur mandatin e 20 mijë të tjerëve, në një kohë kur ofensiva “Karrocat e Gedeonit” po intensifikohet dhe numri i viktimave palestineze rritet ndjeshëm.
Mes patriotizmit dhe zhgënjimit, trupi i rezervistëve izraelitë mbetet një forcë e domosdoshme për ushtrinë, por edhe një pasqyrë e çarjeve të thella shoqërore që ka sjellë kjo luftë e pafund.