Editorial Qifti Uncategorized

Qifti në galerinë e Parlamentit: Ishte lënduar Diellza, ministresha me diplomë nga Harvard-i i Surrelit

Sot kam parë një spektakël që do ta kishin zili edhe autorët e “Portokallisë”. Po pra, më në fund, pashë një seancë parlamentare që s’kishte nevojë as për karikim telefoni. 25 minuta dhe mbaroi!

Kryeministri, që zakonisht e ka për zakon të flasë gjatë e të mos thotë asgjë, këtë herë vendosi të mos flasë fare dhe të thotë… një gjë të re: “Djellza”. Po, Djellza! Ministrja e re e krijuar me inteligjencë artificiale, dmth me diplomë nga Harvard-i i Surrelit. Dhe kur ajo nisi fjalimin, të gjithë u mpinë. Me zë të butë, por me ton të prerë, tha: “Jam lënduar që disa nga ju më keni cilësuar si ‘antikushtetuese’… Unë synoj të rris mirëqenien, të forcoj shtetin ligjor dhe të përmirësoj marrëdhënien me qytetarin, përmes një ndërveprimi të integruar me parametrat e zhvillimit të qëndrueshëm…, ndërsa ju më lëndoni…”

Opozita u zgjua nga gjumi, filloi të bërtasë, të hedhë bidonat e ujit e të bëjë zhurmë dhe nuk e kuptova mirë, u mërzitën për Diellzën apo babain e saj nga Surreli, i cili, i bezdisur, tha: “Nëse nuk më lini të flas, votojmë direkt.”… Dhe socialistët, të telekomanduar si me AI, ngritën lart 82 kartona. Djellza buzëqeshi në mënyrë algoritmike dhe tha: “Faleminderit për bashkëpunimin. Demokracia është optimizuar me sukses.”

Në galeri, unë pyes veten: a është ky parlament apo një klub votimi ku kartonat ngrihen më shpejt se mendimet?

Opozita u largua pa folur, pa u dëgjuar, duke lënë bidonat e ujit e fletët e rregullores të shpërndara… Ambasadorët e huaj që ishin në llozha vunë duart në kokë…

Publiku? Ai që nuk është në TikTok, nuk mori vesh asgjë, ndërsa ata që janë, morën vetëm një meme me Djellzën duke thënë: “Unë nuk kam emocione, por jam më e ndjeshme se qeveria dhe lëndohem shumë…”

Nejse! Herën tjetër do marr kokoshka me vete, se ky nuk është parlament. Ky është Netflix me abonim të detyruar. Po Djellza? – do thoni ju.

Ajo ndoshta po përditësohet për të zëvendësuar edhe opozitën…


Qifti

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *