
Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) ka zbuluar një projekt të madh ndërtimor që prek drejtpërdrejt edhe Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, institucionin simbol që prej dekadash strehohet në Rrugën e Elbasanit. Sipas dokumenteve zyrtare, godina aktuale e jetimores dhe ajo e Inspektoriateve pritet të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle të re shumëfunksionale.
Projekti, i cili do të realizohet me modelin e “sipërmarrjes”, parashikon që partneri privat të financojë ndërtimin e dy godinave publike të reja: një qendër për Inspektoriatet dhe një shtëpi moderne për fëmijët jetimë. Në këmbim, kompanisë i jepet e drejta për të zhvilluar truallin e vyer në zemër të Tiranës, ngjitur me stadiumin kombëtar “Air Albania”, për qëllime komerciale dhe rezidenciale.
Shtëpia e re e fëmijëve “Zyber Hallulli” do të zhvendoset në zonën e Gramoz Pashkos, pranë Kampusit të Studentëve dhe Parkut të Liqenit, në një truall prej mbi 5 mijë metrash katrorë. Sipas AIC, kjo hapësirë “me karakter qytet-kopsht” do të ofrojë kushte më të shëndetshme dhe më të gjelbëruara për rreth 40 fëmijë të moshës 6–15 vjeç.
Ndërkohë, në truallin aktual prej mbi 7 mijë metrash katrorë në Rrugën e Elbasanit, do të ndërtohet një kompleks i lartë me përdorim të përzier: banim, zyra, tregti, shërbime dhe mikpritje, i shoqëruar me hapësira publike dhe parkim nëntokësor. Dokumentet theksojnë se projekti synon të shndërrohet në një “pikë referimi urbane” të Tiranës moderne.
Megjithatë, zhvendosja e jetimëve nga godina tradicionale e tyre në një zonë periferike dhe dhënia e truallit qendror privatëve për zhvillim kullash ka ngritur dyshime mbi transparencën dhe përfitimet reale të marrëveshjes. Kritikët e shohin si një tjetër hap të “betonizimit” të kryeqytetit, ku hapësirat publike kthehen në prona fitimprurëse për pak oligarkë.