Ahmetaj: Nga shpikja e akuzës te fshehja e provave, drejtësia po devijon të vërtetën
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ashpër lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, duke e cilësuar tërheqjen e akuzës për “dëmtim të shtetit” nga ana e prokurorit si një veprim kontradiktor dhe qesharak.
Ahmetaj thekson se në seancën paraprake, prokurori pranoi se akuza e ngritur më herët ishte një “lapsus”, megjithëse kjo akuzë ishte përdorur gjerësisht në media dhe në dokumentet zyrtare të SPAK që prej korrikut 2022. “Ta ngarkojmë këtë, se e ka kthyer i madhi në target,” u shpreh ai, duke e cilësuar akuzën të sajuar.
Sipas Ahmetajt, organi i akuzës ka fshehur prova të rëndësishme, duke përfshirë komunikime telefonike, pajisje të rikthyera dhe dëshmi të personave të pyetur që nuk paraqiten në dosje. Ai akuzon prokurorin se ka ndarë çështjen në mënyrë të padrejtë, ndonëse ka një vendim gjykate për të mos e bërë një gjë të tillë, me qëllim që të fshihet panorama e plotë e faktëve dhe të mos ngarkohen me përgjegjësi personat e përfshirë.
Ahmetaj shton gjithashtu se pretendimi i prokurorisë për moszbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese bie poshtë, pasi rivlerësimi i pavarur i kryer mbi asetet dhe aksionet ka trefishuar vlerën e tyre, duke përfituar si shteti ashtu edhe privati. “Në bazë të ligjit për Shoqëritë Aksionare dhe privatizimin e aseteve shtetërore, nuk kam shkelur asnjë nen,” deklaroi ai.
Në përfundim, Ahmetaj kritikon gjuhën e përdorur nga prokurori dhe e cilëson procesin si të motivuar politikisht: “Duke mbrojtur interesat e shtetit dhe privatit në të njëjtën kohë, paskam bërë këtë ‘krim të domosdoshëm’, sepse ju më doni në burg.”







