Air Albania mbetet pa avionë me flamur shqiptar, paditet në Londër për mosshlyerje qirash

Avioni i vetëm që sot mban emrin e Air Albanias nuk ka më as logon e kompanisë, as simbolet e Shqipërisë. Në qarkullim shihet një aeroplan me logon e Dana Air, i marrë me qira nga kompania shqiptare. Ndërkohë, avionët që dikur u promovuan nga qeveria si krenaria e qiellit shqiptar – “Ismaili”, “Migjeni” dhe “Naimi” – janë zhdukur nga flota, pasi qiradhënësit i tërhoqën mbrapsht për shkak të mosshlyerjes së pagesave.

Ky është tashmë modeli i përsëritur i biznesit të Air Albanias: avionët merren me qira, operojnë për një periudhë të shkurtër dhe më pas kthehen, sepse nuk shlyhen detyrimet financiare. Ritmi i lartë i hyrje-daljeve të aeroplanëve ka bërë që kompania të mos arrijë as t’i stampojë simbolet kombëtare në trupin e tyre.
Situata ka agravuar edhe më tej, pasi kompania amerikane Gat Aircraft and Engine Leasing Limited, degë e GA Telesis, ka paditur Air Albanian në një gjykatë britanike. Në padi pretendohet se linja ajrore shqiptare ndaloi së paguari qiratë për dy avionë të tipit Airbus A320-200 – ZA-ASM dhe ZA-MMK – që nga marsi 2025. Përveç kësaj, Air Albania akuzohet për shkelje të detyrimeve ndaj palëve të treta, përfshirë Eurocontrol.
Qiradhënësi i kërkoi zyrtarisht pagesën e borxhit edhe Turkish Airlines, e cila është garantuese e marrëveshjes së qirasë. Por më 14 korrik, kompania turke refuzoi të mbulonte detyrimet e Air Albanias, duke e lënë transportuesin kombëtar shqiptar të ekspozuar përballë padisë ndërkombëtare.