
MIG-31, të pajisur me raketa hipersonike Kinzhal qëndruan 12 minuta në hapësirën ajrore të Estonisë. Kiev paralajmëron për një kërcënim direkt ndaj sigurisë transatlantike.
Ministria e jashtme e Estonisë njoftoi të premten se tre avionë luftarakë rusë MIG-31 hynë pa leje në hapësirën ajrore të vendit dhe qëndruan aty për rreth 12 minuta. Qeveria e Talinit e përshkroi këtë si një provokim me guxim të paparë.
Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë dhe aktualisht shefe e diplomacisë së BE-së, e cilësoi incidentin si jashtëzakonisht të rrezikshëm, duke theksuar se ky akt përbën një provokim të drejtpërdrejtë ndaj NATO-s.
Kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi se shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë është një eskalim i ri nga Moska dhe një kërcënim i qartë për sigurinë euroatlantike. Sipas tij, nëse Rusia nuk përballet me një përgjigje të fortë, ajo vetëm do të bëhet më arrogante dhe agresive.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se Kievi po shqyrton shitjen e disa armëve në tregjet ndërkombëtare:si dronë detarë dhe armë antitank, për të financuar prodhimin e brendshëm ushtarak. Ai përmendi si destinacione të mundshme Shtetet e Bashkuara, disa vende evropiane dhe partnerë të tjerë globalë që tashmë e kanë mbështetur Ukrainën.
Ky hap synon të ulë varësinë nga ndihma e huaj dhe të sigurojë burime për prodhimin e mëtejshëm të armëve në territorin ukrainas.