Aktualitet Bota

Pse Steve Jobs i la fëmijët pa trashëgimi?

Bashkëthemeluesi i Apple, që ndërroi jetë në vitin 2011, zgjodhi t’ia linte pasurinë e tij të jashtëzakonshme bashkëshortes Laurene Powell Jobs dhe vajzës së tij të parë, duke lënë mënjanë tre fëmijët e tjerë

Steve Jobs, vizionari i Apple dhe një nga figurat më të rëndësishme të teknologjisë moderne, ndërroi jetë më 5 tetor 2011, në moshën 56-vjeçare, pas një forme të rrallë kanceri në pankreas. Ai la pas një pasuri të vlerësuar mbi 10 miliardë dollarë, por vendimi për shpërndarjen e saj habiti shumëkënd: tre fëmijët e tij me Laurene Powell Jobs; Eve, Erin dhe Reed, nuk trashëguan asgjë.

Pasuria iu kalua bashkëshortes së tij Laurene dhe vajzës së parë, Lisa Brennan-Jobs, të cilën Jobs fillimisht kishte hezituar ta pranonte si të bijën. Ky gjest u interpretua si një mënyrë për të kompensuar vitet e mungesës së njohjes dhe pranimit.

Por ky nuk ishte një akt ndëshkimi. Jobs dhe Laurene kishin vendosur shumë kohë përpara ndarjes së tij nga jeta që fëmijët nuk duhet të mbështeteshin tek trashëgimia. Në një intervistë për Daily Mail në vitin 2020, Laurene Powell Jobs e shpjegoi qartë filozofinë e tyre: “Steve nuk ishte i interesuar për këtë. Nëse jetoj mjaftueshëm gjatë, ky trashëgim do të përfundojë me mua”.

Ndërkohë, tre fëmijët kanë ndërtuar karrierat e tyre: Reed punon në fushën e shëndetësisë dhe edukimit përmes kolektivit Emerson, Eve është modele në agjencinë DNA Model Management, ndërsa Erin mban një profil më të ulët, por jeton gjithashtu në rehati.

Laurene Powell Jobs ka zgjedhur të ndjekë rrugën e filantropisë, duke investuar një pjesë të madhe të pasurisë në projekte arsimore, sociale dhe mjedisore, një vizion që përputhej me vullnetin e Jobs. Pasuria e saj është rritur ndjeshëm vitet e fundit falë aksioneve të Apple dhe Disney, duke u dhjetëfishuar brenda një dekade.

Historia e trashëgimisë së Jobs pasqyron filozofinë e tij jetësore: suksesi duhet ndërtuar mbi meritë dhe punë personale, jo mbi pasurinë e trashëguar.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *