
Qytetarët nuk punësohen dot, në poste që e kanë detyrim, pa certifikatë sigurie, ndërsa ligjvënësit marrin pjesë në vendimmarrje sekrete pa asnjë filtër.
Në një vend normal, askush nuk mund të hyjë në një pozicion të rëndësishëm shtetëror pa një certifikatë sigurie. Një specialist IT, një punonjës në një institucion të ndjeshëm, madje edhe një shofer i institucioneve të larta duhet të kalojë kontroll të imët për të marrë leje -akses në informacion të klasifikuar.
Por në Shqipëri ka një rregull të heshtur: qytetari kontrollohet, deputeti jo.
Zbulimi se 31 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk kanë certifikatë sigurie është një alarm i pastër për sigurinë kombëtare. AKSIK ka refuzuar t’i certifikojë këta ligjvënës, duke u bazuar në të dhëna komprometuese nga SPAK, SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe agjencitë partnere ndërkombëtare.
Në listë ndodhen ish-kryeministra, ish-ministra, drejtues komisionesh, emra të përfshirë në hetime për korrupsion, pastrim parash dhe lidhje me grupe kriminale dhe megjithatë vazhojnë të jenë pjesë e parlamentit, madje të prekin informacione që normalisht ruhen me “Top Secret”.
Deutetët e PS:
Ogerta Manastirliu; Avni Dyrmishi; Ceno Klosi; Klevis Jahaj; Ornaldo Rakipi; Olta Xhacka; Agron Malaj; Loer Kume; Arkend Balla; Xhenis Çela; Bujar Rexha; Tërmet Peçi; Pirro Dhima; Sara Mila; Saimir Hasalla; Olsi Komici; Agron Gaxho
Deputetët e PD:
Sali Berisha; Flamur Noka; Albana Vokshi; Fatmir Mediu; Erisa Xhixho; Gjin Gjoni; Kliti Hoti; Xhelal Mziu; Arian Ndoja; Luan Baçi; Brunilda Haxhiu; Bledjon Nallbati; Edmond Haxhinasto; Klodiana Çapja
Si mund të lejohet që një deputet pa certifikatë sigurie të votojë për buxhetin e sigurisë, të marrë pjesë në Komisionin e Çështjeve të Brendshme, apo të ketë qasje në dokumente që lidhen me mbrojtjen kombëtare?
Kjo nuk është thjesht shpërfillje e procedurave; është normalizimi i jonormales në nivelet më të larta të shtetit dhe ky normalizim është bërë sistem. Sot janë refuzuar 31 emra. Ndërkohë 25 deputetë të tjerë janë ende në verifikim, për të cilët pritet konfirmimi nga institucionet e drejtësisë.
Fakti që disa prej tyre janë pjesë e komisioneve që trajtojnë informacion sekret është skandali brenda skandalit. Në çdo vend europian, kjo situatë do të sillte dorëheqje të menjëhershme dhe ngritje alarmi kombëtar. Në Shqipëri, kalon si një lajm i radhës.
Deri kur do të vazhdohet të pranohet që rregullat vlejnë vetëm për njerëzit e zakonshem, ndërsa “të zgjedhurit” janë mbi ligjin?!
Deri kur Kuvendi do të bëhet strofull e personave nën hetim që nuk marrin dot certifikatë sigurie, por marrin lehtësisht karrigen e deputetit?!
Deri kur do të normalizohet jonormalja, e cila prej vitesh ka ngritur çadra brenda shtetit?!
Ky skandal nuk është teknik. Nuk është burokratik. Është zemra e sigurisë kombëtare që rreh nën duart e njerëzve të pacertifikuar.
Por të vërtetës nuk i shpëton dot askush: Shteti nuk zgjohet vetë, sepse pushteti nuk ka interes të ndërgjegjësohet. Pushteti zgjohet vetëm kur ndëshkohet. Prandaj, pyetja nuk është më nëse do të zgjohet shteti, por nëse do të zgjohet populli. Sepse vetëm një shoqëri e vetëdijshme mund t’i japë fund absurditetit të përditshëm tashmë. Deri atëherë, jonormalja do të vazhdojë të prezantohet si standard dhe Shqipëria do të mbetet një shtet i fjetur… në një kohë kur zgjimi është emergjencë kombëtare.
Të nderuar pushtetarë, opozitarë dhe ligjbërës: Shqipëria ka nevojë për pak monotoni; monotoni normalitetit. Sepse po lodhemi. Jemi mbytur në afera, skandale dhe turpe të reja që shpërthejnë çdo ditë pa pushim. Deri kur kështu?! Deri kur ky vend do të jetojë në ritmin e krizave që ndërtoni vetë ju, në garën tuaj të heshtur për të mos qenë më i keqi, në vend që të jeni të paktën, thjesht… normalë?!
