
Ngjarja ka ndodhur në banesën e saj në Agugliana të Montebello Vicentino, autoritetet flasin për shkaqe aksidentale
Një grua 31-vjeçare është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:00, në vaskën e banjës së banesës së saj në Agugliana të Montebello Vicentino, në provincën e Vicenzës. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një intoksikim nga monoksidi i karbonit.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit dhe shërbimet e emergjencës. Ekipi mjekësor i Suem 118 nga spitali i Arzignanos konstatoi vdekjen e të resë, duke e bërë të pamundur çdo ndërhyrje për shpëtimin e saj.
Në banesë kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit, të cilët po kryejnë matje me pajisje speciale për të verifikuar praninë e monoksidit të karbonit në ambientet e banjës. Hetimet po ndiqen gjithashtu nga karabinierët.
Nga verifikimet e para, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale dhe, deri më tani, nuk ka elementë që të tregojnë për përfshirjen e personave të tjerë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e plota të ngjarjes.
