

Disa bizhuteri kanë një fat të jashtëzakonshëm. Mes tyre është “Love” i Cartier, kjo deklaratë dashurie e përjetshme që vazhdon të rimodelohet.
Gjithçka filloi në Paris në vitin 1969. Shtëpia e njohur e bizhuterive Cartier prezantoi një krijim të dizajnerit Aldo Cipullo, i frymëzuar nga një zhgënjim dashurie. Byzylyku “Love” përbëhej nga dy pjesë: një byzylyk i ngurtë i dekoruar me vidhosje dhe një kaçavidë që e mbyllte atë rreth kyçit të dorës si një premtim i përjetshëm.
Në vitet ’70, ky byzylyk u bë simbol i dashurisë për çiftet më të famshme të kohës: Jane Birkin dhe Serge Gainsbourg, Elizabeth Taylor dhe Richard Burton, Sophia Loren dhe Carlo Ponti, Steve McQueen dhe Ali MacGraw apo Nancy dhe Frank Sinatra.
Sot, Cartier ka vendosur ta risjellë byzylykun e tij më emblematik. Versioni më i ri, i quajtur “Love Unlimited”, është më i butë dhe fleksibël. Ai ndërtohet nga një seri hallkash të vogla të punuara me imtësi, që vendosen mes modelit klasik dhe versioneve më të holla. Për të arritur këtë formë të re,u krijuan nga mjeshtrat e manufakturës Cartier. më shumë se 100 prova dhe prototipe.
Ndryshe nga modeli i parë, të gjitha versionet e reja janë të pajisura me një vidë funksionale dhe një hapësirë me menteshë, që e bëjnë të lehtë veshjen pa pasur nevojë për kaçavidën klasike. Sistemi i ri i mbylljes është i padukshëm dhe bashkohet në mënyrë perfekte me formën e byzylykut. Rezultati: një “rrip ari” i përbërë nga 200 elementë të miniaturizuar, që sigurojnë rehati dhe elegancë.
Përveç kësaj, “Love Unlimited” ofron mundësinë e lidhjes së disa byzylykëve bashkë, duke krijuar kombinime të dyfishta ose të shumëfishta, në ar të verdhë, ar rozë ose ar gri.
Kartier ka sjellë edhe një version unazë të “Love Unlimited”, që ruan të njëjtat elemente dalluese, por në një shkallë më të vogël. Ky evolucion tregon se Love vazhdon të mbetet jo vetëm një simbol i dashurisë, por edhe një manifest i inovacionit dhe pavarësisë në botën e bizhuterive.