
Dosja e SPAK zbulon biseda makabre në rrjetin “Sky” mes anëtarëve të grupit të Avdylajve, që për shtatë ditë me radhë planifikonin vrasjen e Edmir Koçit, alias “Malokut”, në Durrës.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar një skenar kriminal të përgatitur me detaje të frikshme nga grupi i Avdylajve, që për shtatë ditë me radhë kishin ngritur një bazë operative në Durrës me qëllim eliminimin fizik të Edmir Koçit, i njohur në botën e krimit me nofkën “Maloku”.
Sipas dosjes hetimore, komunikimet e përgjuara në rrjetin e koduar “Sky ECC” tregojnë se dy persona, Alfred Doka (i njohur si Fonsi) dhe Ermir Dedja, ishin paguar dhe armatosur nga Astrit dhe Aldo Avdyli për të kryer atentatin. Të dy ishin vendosur në një shtëpi me qira, ku prisnin çdo natë që objektivi të dilte në terren, por pa sukses.
Në bisedat e publikuara, dëshmohet nervozizmi dhe humbja e durimit e autorëve. “Po dredh zinxhirin xhaxhi Fonsi”, i shkruan njëri prej tyre Aldo Avdylit, ndërsa ky i fundit kërkon që njerëzit të mos lëvizin nga baza deri në orën 21:00.
Ndërkohë, Elidon (Aldo) Avdyli komunikon vazhdimisht me Arben Mërkurin (Maneci) dhe Enea Kumen, duke i dhënë udhëzime për mënyrën e kryerjes së atentatit dhe mënyrën si do të “maskohej” krimi. Në një nga mesazhet, Avdyli shkruan:
“Me shpresë te Zoti, sot e mbarojmë ‘Malokun’. Ja ngecim Bamit, gjasme ka marrë hakun e vet, se ‘Maloku’ rri me Vis Martinin.”
Ky plan për të ia faturuar vrasjen Durim Bamit, tregon sipas hetuesve përpjekjen e grupit për të devijuar hetimet dhe për të krijuar konfuzion mes rivalëve.
Në disa nga bisedat, Dedja dhe Doka shfaqen duke u përpjekur të ruajnë moralin pas ditëve të gjata të pritjes. Në njërën prej tyre, Dedja shkruan:
“Po na nxiu o kapo, 7 ditë në terren… Ishalla o Zot sot ndodh gjë.”
Në një tjetër mesazh, ironizon me një shprehje të ftohtë:
“Pa e përcëllu ‘Malokun’, s’ka bërxolla… pastaj fillojnë bërxollat.”
Sipas dokumenteve të SPAK, personat kishin planifikuar të strehoheshin më pas në një banesë malore me oxhak, ku do të fshiheshin pas kryerjes së atentatit. Një nga mesazhet e fundit të natës së 24 nëntorit 2020 e tregon qartë dëshpërimin e grupit:
“Po i them të lëvizin ata, po na e shpifen sot… Ishalla e kapim nesër atë, o vëlla.”
Pavarësisht ditëve të tëra në terren, atentati ndaj Edmir Koçit nuk u krye kurrë. Por çkodimi i komunikimeve në “Sky ECC” ka ekspozuar me detaje të rënda mënyrën si funksiononte një nga rrjetet kriminale më të sofistikuara të viteve të fundit në vend, që kishte ngritur struktura të plota për survejim, logjistikë, armatim dhe fshehje pas krimeve.
Prokuroria e Posaçme e cilëson këtë rast si një nga provat më të qarta të lidhjes mes bandave, rrjeteve të komunikimit të enkriptuar dhe tentativave për eliminime fizike të kundërshtarëve, duke theksuar se operacionet për shkatërrimin e plotë të grupit Avdylaj vijojnë ende.