
Projekti 12 mln € u rrit në 20 mln €, ndërsa zona e ish-Kënetës dhe Porto Romano përmbytet për herë të tretë brenda një viti
Përmbytjet e fundit në Durrës, që kanë mbuluar pothuajse tërësisht zonën e ish-Kënetës dhe Porto Romanos, kanë rikthyer në vëmendje një projekt milionash eurosh, i cili duhej të parandalonte pikërisht këtë situatë. Bëhet fjalë për rehabilitimin e rrjetit kullues dhe të ujërave të shiut, një investim publik që sot shihet si dështim i plotë.
Projekti, i zbatuar në vitet 2021–2022 përmes Bashkisë së Durrësit, kishte fillimisht një vlerë të përllogaritur prej rreth 12 milionë eurosh, sipas analizës financiare të vetë bashkisë. Megjithatë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me firmën e kryeministrit Edi Rama, fondi u rrit në afro 20 milionë euro, duke shtuar rreth 8 milionë euro mbi projektin fillestar.
Vendimi qeveritar u mor në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili kishte shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e Durrësit. Këshilli Bashkiak i Durrësit e kishte miratuar projektin në korrik 2021 me një kosto të detajuar prej rreth 12 milionë eurosh, por më pas, pas miratimit në qeveri, shuma u rrit ndjeshëm.
Në vijim, Këshilli Bashkiak, me propozim të Emiriana Sako, e cila në atë periudhë ushtronte funksionet e kryetares së bashkisë, miratoi detajimin e fondit qeveritar prej rreth 20 milionë eurosh. Sipas dokumenteve, pjesa dërrmuese e fondit u destinua për rehabilitimin e infrastrukturës, ndërsa pjesa tjetër për mbikëqyrje dhe kolaudim.
Tenderi për këtë projekt u shpall si procedurë emergjente dhe u zhvillua në një kohë shumë të shkurtër. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “2T”, “Vëllezërit Hysa” dhe “Adriatik”, me një ofertë thuajse sa fondi limit. Dy prej këtyre kompanive rezultojnë të kenë lidhje të njohura me qarqe të larta politike dhe administrative.
Sot, ndërsa përmbytjet përsëriten dhe banorët përballen sërish me ujë në banesa e rrugë, projekti shumëmilionësh ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e planifikimit, financimit dhe zbatimit të fondeve publike. Dokumentet dhe faktet e dala në dritë e kthejnë këtë investim në një nga rastet më problematike të menaxhimit financiar dhe institucional në Durrës, me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
