
Çifti u raportua i zhdukur prej fillimit të tetorit; autoritetet ruse po hetojnë vrasjen dhe kanë arrestuar 7 persona të dyshuar për rrëmbim dhe zhvatje.
Biznesmeni rus Roman Novak, i njohur në botën e kriptovalutave dhe më parë i lidhur me drejtues të platformës Telegram, është vrarë në Emiratet e Bashkuara Arabe së bashku me bashkëshorten e tij, Anna. Novak ishte raportuar i zhdukur prej disa javësh, pasi familjarët nuk kishin mundur të kontaktonin me çiftin që prej fillimit të tetorit.
Sipas mediave ndërkombëtare, çifti dyshohet se është rrëmbyer nga një grup personash që kërkuan një shumë të konsiderueshme parash për lirimin e tyre. Kur kërkesa nuk u përmbush, ata u ekzekutuan në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Autoritetet ruse kanë hapur një dosje penale për vrasje dhe kanë konfirmuar arrestimin e 7 personave të dyshuar lidhur me këtë ngjarje. Dyshohet se motivi kryesor lidhet me përfitime financiare.
Roman Novak ka qenë për vite me radhë në qendër të hetimeve për mashtrime në tregun e kriptovalutave. Ai akuzohej për përvetësimin e mbi 500 milionë dollarëve nga investitorë, të cilëve u ishte premtuar përfshirja në projekte teknologjike me fitime të larta. Novak e paraqiste veten si person i lidhur me bordin drejtues të platformës Telegram, pretendim që është mohuar më herët nga kompania.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin rrjetin e plotë të personave të përfshirë në rrëmbim dhe vrasje.
