
Ish-kryetarja e Byrosë Kombëtare të Hetimit kërkon rikthimin në strukturë pa u futur në konkurs, ndërsa procesi i rekrutimit është aktualisht i hapur.
Aida Hajnaj, e cila ka drejtuar më parë Byronë Kombëtare të Hetimit, ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër procesit të hapur për përzgjedhjen e drejtorëve të departamenteve në Policinë e Shtetit. Ajo kërkon të rikthehet në strukturë në një pozicion drejtues, si zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme ose si drejtuese departamenti, pa iu nënshtruar garës së hapur.
Kërkesa e saj lidhet me ndryshimet ligjore të bëra së fundmi, sipas të cilave çdo pozicion drejtues në Policinë e Shtetit duhet të merret përmes konkurrimit të hapur. Hajnaj nuk ka marrë pjesë në konkursin e nisur në tetor për pozicionin “Drejtor Departamenti në Policinë e Shtetit”, por ka kërkuar pezullimin e tij deri në shqyrtimin e çështjes nga gjykata.
Afati për aplikimet në këtë proces mbyllet më 11 nëntor, të njëjtën ditë kur pritet të zhvillohet edhe seanca gjyqësore. Deri atëherë, mbetet për t’u parë nëse konkursi do të vijojë normalisht apo do të ndalet në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative.
