
Në dhjetë vitet e fundit, vlera e eksporteve agro-ushqimore italiane është dyfishuar, duke e kthyer bilancin tregtar nga deficit në suficit, ndërsa mozzarella, parmixhano, pasta dhe vera udhëheqin suksesin botëror.
Italia po përjeton një bum të madh në sektorin agro-ushqimor, falë rritjes së ndjeshme të eksporteve të produkteve tradicionale si mozzarella e bufalos, parmixhano, pastat dhe verërat. Sipas të dhënave të publikuara nga Il Sole 24 Ore, eksportet italiane nga qershori 2024 në maj 2025 arritën në 70.7 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe gati dyfishi i asaj të vitit 2015 (37 miliardë euro).
Një nga shembujt më të dukshëm të këtij suksesi është mozzarella di bufala, e cila ka fituar tregje kyçe ndërkombëtare. Vetëm në Francë shkojnë rreth 37% e gjithë prodhimit të eksportuar, duke bërë që konsumatorët francezë, vend i njohur për traditën e djathrave, të bëhen blerësit kryesorë të këtij produkti italian.
Përveç djathrave, rritje të fortë kanë shënuar edhe pastat dhe vera. Italia mbetet eksportuesi më i madh në botë i makaronave dhe produkteve të domates, ndërsa për verën renditet e dyta në rang global pas Francës, kryesisht falë verërave të gazuara dhe të eksportuara masivisht në Evropë dhe SHBA.
Kjo rritje ka përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar të sektorit agro-ushqimor italian. Në vitin 2014, Italia regjistronte një deficit prej 7.6 miliardë eurosh, ndërsa sot ka kaluar në suficit mbi 1 miliard euro. Në të kundërt, Franca ka shënuar për herë të parë pas 25 vitesh një bilanc negativ në sektorin ushqimor, me një deficit prej 432 milionë eurosh në maj 2025.
Megjithatë, mediat italiane theksojnë se konsumi i brendshëm në Itali ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve dhe vështirësive ekonomike të familjeve. Por kjo nuk ka zbehur krenarinë kombëtare për suksesin ndërkombëtar të gastronomisë italiane.
Siç e përshkruan Il Gusto: “Këto janë bizhuteritë për të cilat bota na ka zili.”
