Një 17-vjeçar nga Lezha, i shpallur në kërkim prej disa muash, u arrestua këtë të shtunë në akuzën e tentativës për vrasje të një shtetasi pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia njofton se në këtë ngjarje ku u përfshinë 6 persona, 17vjeçari qëlloi me sende të forta dhe e përplasi më pas me makinë 34-vjeçarin e përfshirë në konflikt.
Pas kapjes së 17-vjeçarit, vijon aksioni për kapjen dhe të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
“Si rezultat i kontrolleve dhe punës së inteligjencës informative, kryer me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e të gjithë shtetasve të përfshirë në konfliktin për motive të dobëta, ndodhur më datë 11.04.2025, në Lezhë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kapën shtetasin e shpallur në kërkim, A.M. 17 vjeç, banues ne Lezhe, per veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe “Drejtim i mjetit ne menyre te parregullt”.
Nga hetimet e kryera rezultoi se 17-vjeçari drejtonte automjetin pa u pajisur me leje drejtimi, me të cilin perplasi qëllimisht, shtetasin F. Gj., 34 vjeç.
Vijon puna për kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
