Gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin të jetojnë vetëm, duke ndryshuar modelin tradicional të bashkëjetesës

Martesa dhe bashkëjetesa po humbasin rolin që kanë pasur për shekuj, ndërsa shoqëria po hyn në një fazë të re të marrëdhënieve njerëzore. Sipas një analize të publikuar nga revista The Economist, ky fenomen po përshkruhet si një recesion marrëdhëniesh, një ndryshim i thellë social që po ndikon mbi mënyrën se si individët lidhen dhe ndërtojnë jetën e tyre.
Të dhënat tregojnë se në vendet më të zhvilluara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që jetojnë pa partner është dyfishuar në pesëdhjetë vitet e fundit. Tek të rinjtë e grupmoshës 25 deri në 34 vjeç, 50 për qind e burrave dhe 41 për qind e grave sot jetojnë pa bashkëshort apo bashkëjetues. Për më tepër, që nga viti 2010, përqindja e personave që jetojnë vetëm është rritur në 26 nga 30 vendet më të pasura në botë.
Sipas vlerësimit të The Economist, nëse normat e lidhjeve do të ishin njësoj si në vitin 2017, bota sot do të kishte rreth 100 milionë persona më pak single. Ky ndryshim i madh shoqëror shihet si pasojë e faktorëve ekonomikë, pavarësisë më të madhe individuale, prioritizimit të karrierës dhe ndryshimit të pritshmërive ndaj marrëdhënieve në përgjithësi.
