
Rreth 26,700 qytetarë do të zgjedhin mes tre kandidatëve për kreun e Bashkisë
Në prag të votimit të së dielës, KZAZ nr. 16 në Mat ka kryer shpërndarjen e materialeve zgjedhore drejt 47 qendrave të votimit në territor. Komisionerët u paraqitën në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” në Burrel, ku morën materialet për procesin elektoral që zhvillohet më 9 nëntor.
Në këtë garë marrin pjesë tre kandidatë: Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika si kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita, dhe Suzana Pasha, gjithashtu kandidate e pavarur. Rreth 26,700 qytetarë me të drejtë vote pritet të përcaktojnë drejtuesin e ri të Bashkisë Mat.
Procesi i shpërndarjes së materialeve është zhvilluar pa probleme, pa mungesa dokumentacioni dhe pa përplasje mes komisionerëve.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Mat morën pjesë 13,961 votues, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të fundit u regjistruan 13,169 votues. Autoritetet zgjedhore presin një pjesëmarrje të ngjashme ose më të lartë në garën e kësaj të diele.
