Gazetarja e njohur Luela Myftari ka treguar së fundmi një histori të kësaj vere që sapo lamë pas, me një kolegun e saj grek në Qafë Botë, ku ajo dhe të rinj të tjerë ishin mbledhur për të nderuar kujtimin e familjarëve të vrarë në Çamëri.
Ajo nuk e ka fshehur kurrë origjinën çame dhe kudo e tregon me krenari. Ashtu ka bërë edhe këtë herë teksa ishte në podkast, duke treguar se pasi e kishin ndihmuar kolegun grek me ujë dhe bukë në vapën përvëluese, ai kishte shkruar dy ditë më pas në mediat e vendit të tij se të rinjtë ishin ekstremistë.
“S’ka gjë më të trishtë se të presësh në shtëpinë tënde dikë, që do të shkruajë për ty nga qoshja e shtëpisë që ndoshta nuk është e tij, se je ekstremist. Ti e pret këtë nga dikush që të ka marrë oborrin e fëmijërisë, por sërish ndjen dhembje.
I zgjat ujin, se ende nuk e ke humbur humanizmin, se je rritur me dashuri. Zgjat ujin, ndonëse e di që edhe mund të të zgjasë edhe helmin. Por shpreson se ai nuk është si të parët e tij. Është gazetar si ti… Mendon se humanizmi, dashuria është zgjidhja, por harron që ka njerëz që ndoshta s’e kanë njohur dashurinë”, shkruan gazetarja Luela Myftari.
Episodi që ajo tregon, ka ndodhur më 27 Qershor 2025, në zonën e Qafë Botës, e cila është njohur nga parlamenti i Shqipërisë si dita e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë.
Gjatë sulmit mbi popullsinë civile, u dëbuan mbi 30 mijë shqiptarë myslimanë dhe u vranë mbi 3 mijë të tjerë. Ndërkaq, popullsia shqiptare ortodokse e Çamërisë u vendos nën terror për të mohuar identitetin duke vrarë parinë e saj e duke i lënë të varur në mes të qytetit për më shumë se tre ditë.
