Ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar situatën aktuale të opozitës në Shqipëri, duke dhënë edhe një këshillë për kreun e PD, Sali Berisha.
Kryemadhi theksoi se opozita ka nevojë për “zemër” dhe për përkushtim të vërtetë ndaj qytetarëve, duke kritikuar politikanët që, sipas saj, mendojnë më shumë për përfitime sesa për ndryshim politik.
“Opozita do zemër. Nëse opozita mendon si të marrë leje ndërtimi, si të marrë tendera, si t’i zërë vendin Sali Berishës, atëherë nuk do vijë kurrë opozita në pushtet,” u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se Berisha duhet të shmangë gabimet që, sipas saj, kanë bërë edhe ajo vetë dhe Ilir Meta, duke u izoluar në “rrethin e miqve”.
“Berisha, për mendimin tim, duhet të dalë jashtë rrethit. Nuk duhet të bëjë gabimin e Ilir Metës dhe timin, që u izoluam në rrethin e miqve tanë. Opozita duhet të dalë jashtë rrethit të miqve,” theksoi ish-deputetja.
Kryemadhi kritikoi gjithashtu pasivitetin e disa figurave opozitare, duke theksuar se mbështetja për Berishën në momentet e vështira ishte e kufizuar.
“Miqtë të përdorin: kur prodhon pushtet japin jetën për ty, por kur ishte Berisha në arrest shtëpie i mblidheshin vetëm 50 veta poshtë dritares. Ata që nuk dalin në terren, japin një deklaratë në televizion dhe nuk bëjnë asgjë,” deklaroi ajo.
Në përfundim, Kryemadhi i bëri thirrje Berishës të rishikojë rrethin e bashkëpunëtorëve dhe të analizojë listat e kandidatëve të përzgjedhur në zgjedhjet e fundit.
