
Organizatori i grabitjes së Bank of America, Frank Maple, është zhdukur prej 42 vitesh bashkë me pjesën më të madhe të parave
Për 17 orë rresht, hajduti Stuart Buckley qëndroi i fshehur në tavanin e Bank of America, duke vëzhguar kasafortën nga një vrimë e vogël. I pajisur vetëm me një teleskop të vogël, një stilolaps, një letër dhe një enë fëmijësh për nevoja personale, ai arriti të shënojë kombinacionin e kasafortës, çka i hapi rrugën asaj që u bë më vonë grabitja më e madhe bankare e kohës.
Grabitja u krye në tetor të vitit 1974 në një degë të bankës në Mayfair, Londër. Sipas dëshmive, vlera e grabitjes ishte rreth 8 milionë paund në atë kohë, shumë që sot kap vlerën e 100 milionë paund.
Stuart Buckley, vetëm 26 vjeç dhe i punësuar si elektricist në bankë, kishte përfituar akses të plotë në ambientet e brendshme, sistemet e sigurisë dhe informacionet teknike, pa u zbuluar se kishte qenë i dënuar më parë për vjedhje. Ai fotografoi sistemet e alarmit, mati trashësinë e dyerve të kasafortës dhe përgatiti terrenin për grabitjen.
Përkundër planifikimit të detajuar, operacioni u rrezikua kur një prej anëtarëve të grupit mori një gjobë parkimi gjatë ndarjes së plaçkës. Kur u paraqit për të paguar gjobën, policia arriti ta identifikojë dhe të zbulojë pjesën tjetër të grupit.
Në total, shtatë anëtarë të bandës u dënuan me mbi 100 vite burg. Buckley u dënua me 7 vite. Mirëpo shumica e parave, rreth 7,5 milionë paund, që në ditët e sotme kapin vlerën e 100 milionë paund, nuk u gjetën kurrë.
Sipas gjykatës, mendja e këtij operacioni ishte Frank Maple, i cili pas grabitjes u arratis në Spanjë e Marok, duke jetuar në vila luksoze dhe përdorur identitete të rreme. Ai u arrestua disa herë në vende të ndryshme të Evropës, por ose arratisej, ose nuk gjendej provë e mjaftueshme kundër tij, pasi Buckley refuzonte të dëshmonte nga frika për jetën.
Në vitin 1983, Maple u akuzua për rrëmbimin e një biznesmeni britanik dhe bashkëshortes së tij në Andorra, të cilët u kërcënuan me armë dhe u detyruan të dorëzonin një jaht luksoz dhe një makinë Rolls-Royce. Edhe nga ky rast, Maple dhe bashkëpunëtori i tij famëkeq i njohur si The Pimpernel arritën të zhduken.
Prej më shumë se katër dekadash Frank Maple nuk është parë më. Fati i tij dhe vendndodhja e njëqind milionë paundëve mbeten ende një nga misteret më të pasqaruara të historisë së krimit organizuar në Evropë.
Mediat britanike e kanë lidhur figurën e Frank Maple me personazhin e filmit britanik “Sexy Beast”, ku gangsteri kryesor jeton në luks në bregdetin spanjoll dhe i shpëton drejtësisë për vite të tëra. Jeta e Maple pas grabitjes, arratisjet e tij të njëpasnjëshme dhe lidhjet me botën e krimit në Costa del Sol u morën si frymëzim për këtë figurë, duke i dhënë atij nofkën “Sexy Beast” që vazhdon ta shoqërojë edhe sot në rrëfimet historike të grabitjes.
