
Gazetari thotë se lajmet nuk vijnë nga media, por nga rrethet e afërta të vetë çiftit
Çifti i njohur i showbizit shqiptar, Elgit Doda dhe Klea Huta, kanë paditur gazetarin Elton Tozaj pas deklarimeve të bëra së fundmi në media lidhur me një ndarje të mundshme mes tyre. Lajmi është bërë i ditur pasi Tozaj reagoi në rrjetet sociale me një qëndrim ironik ndaj çiftit.
Në një postim në Instastory, Tozaj u shpreh se personazhet publikë shpesh fajësojnë gazetarët për lajmet që qarkullojnë, ndërsa sipas tij, informacione të tilla vijnë nga personat e afërt të vetë protagonistëve. Mesazhi i tij u interpretua si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj padisë.
Diskutimet mbi ndarjen e mundshme nisën disa ditë më parë, kur në një emision televiziv, Tozaj deklaroi se Marrëdhënia mes Elgitit dhe Kleas është ftohur dhe se këngëtari mund të ketë nisur një lidhje të re me një vajzë në Lushnje. Këto deklarata ndezën menjëherë debat në rrjete.
Ndërkohë, çifti nuk ka dalë me një qëndrim publik për të konfirmuar ose mohuar lajmet. Vëmendje mori edhe fakti që Klea Huta publikoi kohët e fundit një Instastory me vargje emocionale, që u interpretuan si aluzion për situatën në çift. Megjithatë, ajo ka vijuar të mbajë në gisht unazën e fejesës, çka është parë nga ndjekësit si shenjë se lidhja nuk është ndërprerë përfundimisht.
Elgit Doda dhe Klea Huta prej vitesh janë një ndër çiftet më të komentuar në skenën shqiptare, ndërsa për momentin marrëdhënia e tyre mbetet në qendër të interesit mediatik. Në krahun tjetër, Elton Tozaj deklaron se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimet e tij.
Në pritje të reagimeve zyrtare, historia e çiftit vazhdon të ngjallë interes dhe diskutime në publik dhe rrjetet sociale.
