
Ajo tha se garon e pavarur pasi nuk u përfshi në kandidaturën zyrtare të partisë
Kandidatja e pavarur për Bashkinë Mat, Suzana Pasha, ka hedhur votën e saj këtë të diel, duke deklaruar se procesi zgjedhor ka nisur normalisht dhe pa probleme. Pas votimit, ajo u shpreh se ka zhvilluar një fushatë derë më derë dhe i ka kërkuar mbështetje qytetarëve të Matit, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së lirë.
Pasha theksoi se pavarësisht se garon si kandidate e pavarur, bindjet e saj politike mbeten të majta. Sipas saj, largimi nga strukturat e Partisë Socialiste lidhet me ndarjen e ideve dhe jo të parimeve.
“Kam qenë dhe mbetem socialiste. Është partia ku unë jam formuar dhe ajo mbetet pjesë e identitetit tim politik. Por në këtë garë vendosa të kandidoj e pavarur sepse besoj se duhet të isha unë përfaqësuesja,” u shpreh ajo.
Pasha u shpreh optimiste për rezultatin dhe shtoi se sfidën e saj nuk e shoqëruan kërcënime apo trysni politike, ndërsa institucionet ligjzbatuese duhet të garantojnë një proces të drejtë.
Në mbyllje, ajo apeloi që të fitojë kandidati që punon për interesin e qytetarëve të Matit.
