
Artistja shqiptare me famë botërore performon për dy net radhazi para 70 mijë fansave në Estadio River Plate
Dua Lipa është rikthyer fuqishëm në skenë, duke hapur pjesën latino-amerikane të turneut të saj botëror “Radical Optimism” me dy super-koncerte në Buenos Aires, Argjentinë. Shfaqjet u mbajtën në stadiumin gjigant Estadio River Plate, ku dhjetëra mijëra fansa kënduan dhe kërcyen bashkë me hitet e saj.
Në videon dhe fotot e ndara në Instagram, 30-vjeçarja shfaqet duke performuar me energji të lartë, ndërsa publiku krijon një atmosferë elektrizuese. “BUENOS AIRES, JU DUA ME GJITHË ZEMËR!”, shkroi Dua pas natës së parë të koncertit, duke falënderuar audiencën për pritjen e jashtëzakonshme.
Turneu shënon edhe rikthimin e saj në skenë pas përfundimit të pjesës së Amerikës së Veriut, e cila u mbyll më 16 tetor në Seattle. Përpara nisjes së shfaqjeve, këngëtarja ndau pamje nga provat dhe momentet prapa skenës, duke e ndërtuar gradualisht entuziazmin e fansave.
Pas Buenos Airesit, Dua Lipa do të vazhdojë turin në disa nga qytetet më të mëdha të Amerikës Latine, përfshirë Santiago (Kili), São Paulo dhe Rio de Janeiro (Brazil), Limë (Peru) dhe Bogota (Kolumbi).
Turneu “Radical Optimism” është pritur me duartrokitje në çdo kontinent, duke e shndërruar artisten me origjinë shqiptare në një nga performueset më të kërkuara të momentit në skenën botërore të muzikës pop.
