
Aktori zbulon se rreziku i lartë për Alzheimer e ka detyruar të ndalet, të rindërtojë prioritetet dhe të zgjedhë qetësinë para karrierës
Aktori i njohur australian Chris Hemsworth, i dashur për publikun si “Thor”, ka treguar së fundmi se si jeta e tij ka marrë një drejtim krejt të ri pasi mësoi se është në rrezik të lartë për zhvillimin e Alzaimerit. Lajmi u zbulua gjatë xhirimeve të dokumentarit “Limitless” të National Geographic, duke e goditur aktorin në një moment ku suksesi i karrierës dukej në kulmin e tij.
Në fillim, Hemsworth pranon se u përpoq ta injoronte diagnozën.
“E lashë mënjanë. Mendova se mund të vazhdoja thjesht përpara,” rrëfen ai. “Por më pas kuptova se nëse nuk ndaloj të kujdesem për mendjen dhe trupin tim, gjithçka që kam ndërtuar mund të humbasë.”
Ai tregon se stresi i vazhdueshëm, ritmi i shpejtë i jetës në Hollywood dhe presioni i pandalshëm për të qenë gjithmonë në formë, filluan ta lëkundnin kontrollin që kishte mbi veten.
“Ndihem sikur nuk po udhëhiqja më. Thjesht po më tërhiqnin. Dhe kjo më frikësoi.”
Sot, Chris ka bërë një zgjedhje të vetëdijshme: të ngadalësojë. Ai ka futur qetësinë dhe reflektimin në përditshmërinë e tij, më pak kamera, më shumë familje, më shumë natyrë, më shumë momente të heshtura.
“Ka stres të mirë dhe stres që të shkatërron. Ne jetojmë në një gjendje alarmi të përhershëm. Trupi nuk është ndërtuar për ta përballuar këtë.”
Për aktorin, çdo moment është bërë i çmuar. Ai thotë se po përqendrohet më shumë te të dashurit e tij, dhe tek ndërtimi i një jete që nuk matet vetëm me role filmike apo sukses publik.
Ndërkohë, ai nuk është shkëputur nga kinemaja. Chris Hemsworth do të shfaqet së shpejti në filmin “Crime 101”, krah Mark Ruffalo, Barry Keoghan, Halle Berry dhe Monica Barbaro. Por tashmë, ai punon në kushte që nuk cënojnë shëndetin dhe pa e vënë karrierën mbi veten.
Mesazhi i tij është i thjeshtë, prekës dhe njerëzor:
“Nuk dua të jetoj duke vrapuar pas kohës. Dua të jetoj brenda saj.”
