
Sekretarja britanike e Kulturës, Lisa Nandy, deklaron se BBC mbetet një institucion jetik dhe i besueshëm, pas kritikave të forta nga Shtëpia e Bardhë
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka akuzuar BBC se ka transmetuar materiale të manipuluara kundër tij. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti BBC “100% lajme të rreme”, duke iu referuar një dokumentari të programit Panorama, ku u përdorën pjesë të montuara nga fjalimi i Trump më 6 janar 2021, ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin.
Nga ana tjetër, qeveria britanike ka mohuar kategorikisht akuzat. Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, tha se nuk bie dakord me deklaratat e administratës amerikane dhe se BBC vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme të informimit në botë. Ajo theksoi se BBC ka një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e informacionit të pavarur.
Sipas Nandy, akuzat kundër BBC duhet të trajtohen me seriozitet, por ajo shtoi se nuk ekziston asnjë provë që të tregojë manipulim të qëllimshëm të materialeve. Ajo nënvizoi se në rastet kur BBC ka bërë gabime, ato janë trajtuar sipas protokolleve të brendshme editoriale.
BBC pritet të japë një përgjigje zyrtare brenda ditës së hënë, ndërsa debati ka hapur diskutime të reja për neutralitetin e mediave publike dhe ndikimin politik mbi to. Në Mbretërinë e Bashkuar, çështja ka bërë jehonë, përfshirë edhe ish-kryeministrin Boris Johnson, i cili ka akuzuar gjithashtu BBC për mungesë objektiviteti.
Për momentin, polemikat vazhdojnë në të dy anët e Atlantikut, ndërsa publikimi i dokumentarit po rishikohet nga bordi editorial i BBC.
