
Autoritetet u kërkojnë banorëve të zonave bregdetare të qëndrojnë larg vijës së detit, pasi dallgët mund të arrijnë deri në një metër lartësi
Në Japoni është regjistruar sot një tërmet i fortë me magnitudë 6.7, i ndodhur në brigjet veriore të prefekturës Iwate. Lëkundjet janë ndjerë rreth orës 17:03 sipas kohës lokale dhe autoritetet kanë lëshuar menjëherë paralajmërim për cunami.
Shërbimi Meteorologjik i Japonisë njoftoi se ekziston rreziku që dallgët të arrijnë deri në një metër lartësi, ndaj banorëve u kërkohet të shmangin zonat pranë bregdetit dhe të zhvendosen në territore më të sigurta.
Rrjeti publik NHK bëri të ditur se njoftimet emergjente janë shpërndarë në të gjithë rajonin, ndërsa shërbimet e emergjencës po monitorojnë situatën në kohë reale. Deri tani nuk raportohet për dëme të mëdha materiale apo persona të lënduar, por autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar ende.
Japoni, një vend i njohur për aktivitet të lartë sizmik, mbetet në gatishmëri ndërsa matjet e mëtejshme po vijojnë për të vlerësuar nëse valët e cunamit do të përplasen në breg.
