
Joey Batey thotë se Hemsworth tregoi përkushtim dhe respekt për rolin e Geralt që në ditën e parë të xhirimeve.
Aktori Joey Batey, i njohur për rolin e Jaskier në serialin “The Witcher”, ka folur për herë të parë në mbështetje të Liam Hemsworth, i cili ka marrë rolin kryesor të Geralt of Rivia pas largimit të Henry Cavill pas sezonit të tretë.
Që nga njoftimi për ndryshimin e aktorit, fansat janë ndarë në dy kampe dhe kanë shpërthyer debate të vazhdueshme në rrjete sociale, me shumë prej tyre që vazhdojnë të krahasojnë interpretimin e Hemsworth me atë të Cavill.
Por Joey Batey, në një intervistë për revistën SFX, u shpreh se Liam Hemsworth u qas rolit me seriozitet, përulësi dhe përkushtim të plotë që ditën e parë të xhirimeve. Ai theksoi se aktori 35-vjeçar solli energji dhe ide të reja në set, duke bashkëpunuar ngushtë me showrunner-et dhe ekipin krijues.
“Sa herë që një aktor i ri vjen në serial, detyra jonë është ta mirëpresim me zemër të hapur. Ne jemi një ekip i fortë dhe shumë i afërt. Ka përqafime, ka muhabet, ka atmosferë familjare. Dhe Liam u bë pjesë e kësaj pa asnjë hezitim,” u shpreh Batey.
Ai shtoi se Hemsworth shpesh vinte në set me sugjerime dhe qasje të reja ndaj skenave, duke treguar se e kishte marrë rolin me përgjegjësi dhe dashuri për universin e “The Witcher”.
“Ai ka një gjë që unë e kërkoj nga çdo bashkëpunëtor: ai u paraqit dhe tregoi që i intereson. Dhe kjo është gjithçka që ka rëndësi,” tha Batey.
Sezoni i katërt i “The Witcher”, tani me Liam Hemsworth në rolin e Geralt, ka nisur transmetimin në Netflix, ndërsa komentet e fansave mbeten të ndara, por gjithnjë e më shumë po shfaqen reagime pozitive ndaj interpretimit të tij.
