
Ngjarja kishte ndodhur një javë më parë në fshatin Peshtan, ku një debat i çastit përshkallëzoi në përdorim arme.
Në Tepelenë është finalizuar një operacion policor i koduar “Koordinimi”, që çoi në arrestimin e një 42-vjeçari të shpallur në kërkim prej një jave. Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi E.T., banues në fshatin Peshtan të Këlcyrës, akuzohet se më datë 02.11.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të kërcënuar bashkëfshatarin e tij, V.M., 48 vjeç.
Gjatë kontrollit të zonës së pyllëzuar ku dyshohej se i kishte fshehur armën, Policia gjeti dhe sekuestroi pistoletën e përdorur në ngjarje, së bashku me një sasi municioni.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit V.M., shërbimet e Policisë zbuluan një armë gjahu dhe një gjerdan me fishekë, të mbajtura pa dokumentacion të lejuar. Edhe për këtë, materialet janë referuar për procedim penal.
Dosja i është dorëzuar Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
