
Ekspertët paralajmërojnë se ky dimër mund të sjellë sezonin më të rëndë të gripit ndonjëherë, pasi një mutacion i ri po e bën virusin më agresiv dhe më rezistent ndaj mbrojtjes së trupit.
Në Mbretërinë e Bashkuar është ngritur një alarm serioz shëndetësor, pasi studiuesit paralajmërojnë për një formë të re dhe potencialisht të rrezikshme të gripit sezonal, e cila ka pësuar mutacion dhe po arrin të shmangë imunitetin e krijuar nga infeksionet apo vaksinat e mëparshme.
Sipas ekspertëve, këtë vit virusi i gripit ka filluar qarkullimin një muaj më herët se zakonisht dhe po përhapet me shpejtësi. Kjo vjen vetëm pak ditë pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) lëshoi një thirrje urgjente për vaksinim, ndërsa rastet e prekjes po rriten në mënyrë të përshpejtuar.
Struktura e virusit H3N2, një variant i njohur për agresivitet, ka pësuar shtatë mutacione gjatë verës, duke e bërë më të vështirë neutralizimin e tij nga sistemi imunitar. Këtë e konfirmon edhe profesorja Nicola Lewis nga Qendra Botërore e Gripit në institutin e njohur Francis Crick:
“Nuk kemi parë diçka të tillë prej vitesh. Këto ndryshime janë të pazakonta dhe po, shqetësohem. Nuk ka vend për panik, por rreziku është real.”
Gripi mund të prekë secilin ndryshe, nga simptoma të lehta te forma të rënda. Rreziku më i madh mbetet për të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe ata me probleme kronike shëndetësore.
Të dhënat e fundit nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britani tregojnë një rritje të ndjeshme të shtrimeve në spital: 3.8 persona për 100 mijë banorë, një nivel që zakonisht arrihet vetëm në kulmin e dhjetorit. Kjo tregon se vala e gripit ka nisur më herët dhe më fort këtë vit.
Profesorja Kamila Hawthorne nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Familjes thekson:
“Ky është një sinjal paralajmërues. Gripi ka filluar të qarkullojë më shpejt se zakonisht dhe po godet i pari fëmijët, rreziku tani është që infeksioni të përhapet tek të moshuarit.”
Ndërkohë, NHS ka bërë thirrje urgjente që qytetarët të vaksinohen sa më shpejt, duke paralajmëruar se Britania mund të përballet me sezonin më të rëndë të gripit në dekadën e fundit.
