
Sot shënohen 36 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, ngjarja historike që i dha fund ndarjes së Gjermanisë dhe u bë simbol i rrëzimit të sistemit komunist në Evropën Lindore.
Më 9 nëntor 1989, pas protestave masive dhe presionit të vazhdueshëm qytetar, kufijtë mes Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor u hapën papritur, duke i dhënë fund një periudhe prej 28 vitesh përçarjeje fizike dhe ideologjike.
Rënia e murit shënoi fillimin e fundit të Luftës së Ftohtë dhe hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë, i cili u realizua zyrtarisht një vit më vonë, më 3 tetor 1990.
Data 9 nëntor ka një simbolikë të veçantë në historinë gjermane, pasi lidhet edhe me momente të tjera të rëndësishme: në vitin 1918 u shpall Republika dhe mori fund monarkia; në vitin 1923 Adolf Hitler tentoi puçin në Mynih; ndërsa në vitin 1938 ndodhi “Nata e Kristaltë”, një akt i dhunshëm kundër hebrenjve që paralajmëroi Holokaustin. Por në vitin 1989, kjo datë u kthye në një ditë lirie dhe shprese.
Rënia e Murit të Berlinit vazhdon të kujtohet si triumfi i vullnetit qytetar ndaj shtypjes politike dhe mbetet një prej momenteve më të rëndësishme në historinë moderne evropiane.
