Themistokli Gërmenji – letra e fundit para pushkatimit (9 Nëntor 1917)
Në 9 nëntor 1917, në Selanik, ra dëshmor një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar – Themistokli Gërmenji, në moshën vetëm 46-vjeçare.
Ai luftoi gjithë jetën për lirinë dhe identitetin e Shqipërisë, kundër pushtuesve dhe padrejtësive.
I akuzuar padrejtësisht, u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze, pas shpifjeve të informatorëve grekë që donin të hiqnin qafe këtë udhëheqës të fuqishëm shqiptar.
Para pushkatimit, i dërgoi bashkëshortes një letër që mbetet ndër më prekëset në historinë tonë:
“E dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i shpifjeve.
Meqenëse unë nuk kthehem më në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, ti ke të drejtë të martohesh, por për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, që si atdhetar i mirë, të mos të të lërë të vuash.
Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë.
Dijeni që vdes i pafajshëm.
Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, nëse kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.
Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji,
Selanik, 9.11.1917.”
Ai vdiq me dinjitet, i qetë në ndërgjegje dhe i përjetshëm në kujtesën kombëtare.
